
Pedagogjia e Leon Tolstoit
Leon Tolstoi (1828 – 1910) ishte një shkrimtar, filozof, mësimdhënës dhe aktivist i shquar shoqëror rus.

. . . Pedagogjia e Leon Tolstoit . . .
Leon Tolstoi njihet edhe si një entuziast i dalluar në fushën e arsimit dhe pedagogjisë, sidomos për punën dhe kontributin e tij të pazakontë në Jasnaja Poljana, me të cilin ai ka një ndikim pozitiv në konceptimet e reja pedagogjike. Ai i kushtoi tërë kontributin e tij arsimor, pedagogjik dhe letar zgjidhjes së situatës së vështirë shoqërore në Rusi duke argumentuar që problemet mund të zgjidheshin vetëm në mënyrë paqësore përmes iluminizmit, arsimit dhe edukimit.
Kontributi dhe aktiviteti i pasur arsimor dhe pedagogjik i Tolstoit mund të ndahet në tre periudha.
- Periudha e parë (1859-1862) shënon hapjen e shkollës në Jasnaja Poljana dhe nisjen e revistës me po të njëjtin emër Jasnaja Poljana,
- Periudha e dytë (1870-1876) i referohet aktivitetit arsimor e edukativ botues, është kjo koha kur botoi veprat: “Alfabeti” , “Alfabeti i ri”, “Aritmetika”, “Arsimi popullor” dhe “Librat e leximit (I, II, III, IV)”, njëkohësisht merret me problemet praktike të arsimit dhe edukimit.
- Periudha e tretë i referohet punës së tij kuptimplotë për pjesën tjetër të jetës së tij, kur ai zhvendoset në pozicionet e mistikës fetare dhe madje trajton çështje edukative dhe arsimore në frymën e të kuptuarit mistik e fetar të botës.
Teoria e tij e edukimit të lirë, e cila ishte nën ndikimin e teorisë së Jean-Jacques Rousseau, e çoi atë në diferencimin e edukimit nga arsimi, me shpjegimin se edukimi ishte një ndikim i detyruar mbi një njeri tjetër dhe se ai korrupton më shumë sesa riparon njeriun. Megjithatë aty kah fundi i jetës së tij, ai braktisi këtë qëndrim dhe pranoi paqëndrueshmërinë e teorisë së arsimit të lirë. Marrë në tërësi, anët e saj pozitive ishin trajtimi individual i fëmijëve, dashuria dhe respekti, njohja dhe zhvillimi i personalitetit të fëmijëve. Madje edhe sot, pas rreth një shekulli e gjysëm, mënyra e punës edukative dhe arsimore e Leon Tolstoi dhe shkrimet në fushën e arsimit dhe pedagogjisë janë njohur si një kontribut domethënës në zhvillimin e arsimit dhe punës me fëmijë.
. . . Pedagogjia e Leon Tolstoit . . .